Dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare për Milanin, në përcaktimin e ecurisë së këtij sezoni. Me radhë janë ndeshjet kundër Parmës në kampionat, ajo ndaj Barcelonës në Ligën e Kampioneve dhe pastaj përsëri në kampionat, në derbin me Interin, që do të tregojë se ku mund të arrijë skuadra kuqezi.
“Ditët e ardhshme do të jenë të rëndësishme, do të përballemi me Barcelonën, skuadrën më të fortë në botë, për herë të gjashtë në dy vitet e fundit. Ndërsa ndeshjet e kampionatit vlejnë gjithmonë tre pikë, si të gjitha të tjerat. Në fillim kaluam një periudhë të vështirë për largimet e shumta, por po të merren për bazë vetëm 16 ndeshjet e fundit, jemi të parët në klasifikimin e kampionatit”, deklaroi Adriano Galiani, administratori i përgjithshëm i Milanit që çuditërisht duket shumë i qetë një javë para ndeshjes me Barcelonën.
“Në krahasim me Barcelonën kemi më shumë histori dhe më shumë kupa se ata. Vitin e kaluar barazuam 0-0 në “San Siro” dhe pasi ndeshja shkoi 1-1 në Barcelonë, në “Kamp Nou” ra heshtja. Më pas, ndodhën disa gjëra që nuk kam qejf t’i kujtoj”, tha ai duke iu referuar rasteve të diskutueshme dhe gjykimit të asaj ndeshje që kuqezinjtë e cilësojnë të qëllimshëm në favor të ekipit katalanas. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 13 February 2013 18:51