Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, nuk fsheh faktin se kuqezinjtë do të kërkojnë me çdo kusht të shënojnë një gol në takimin e nesërm në “Kamp Nou” për të siguruar më mirë kualifikimin ndaj Barcelonës. Tekniku i kuqezinjve, në intervistën e fundit para ndeshjes, ka bërë të qartë se është e kotë të flitet për të administruar rezultatin 2-0 të sfidës së parë, pasi kundërshtari është i një niveli të tillë që mund të mos e ketë problem të shënojë 2 gola.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe mendoj se do të duhet një paraqitje më e mirë se ajo e takimit të parë. Do të jetë e rëndësishme të luajmë kualifikimin në çerekfinale, por po aq e rëndësishme për ne është të kualifikohemi drejtpërdrejt në turneun e vitit të ardhshëm. Por do t’i mendojmë ndeshjet me radhë. Nesër do të jetë një ndeshje e bukur, do të na duhet edhe pak fat për të kaluar, do të duhet edhe një ndeshje madhe nga lojtarët tanë, për të cilët jam i bindur se mund të realizojnë një ndeshje më të mirë se ajo e para”.
“Nuk mund të mendojmë se mund të administrojmë rezultatin 2-0, nuk ka sens një gjë e tillë, duhet të hyjmë në fushë dhe të mundohemi të bëjmë mirë si mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Kemi në dispozicion 2 rezultate në 3 të mundshme, ndaj e rëndësishme është edhe të mos humbim”, shpjegoi trajneri i Milanit.
“Mesi? Ai mund të na shënojë dy gola por nëse shënojmë ne, kualifikohemi ne. Por Barcelona nuk është vetëm Mesi. Penalltitë? I provojmë gjithmonë para ndeshjeve të tilla”, deklaroi trajneri italian. (LajmeShqip.com)
Monday, 11 March 2013 21:13