Trajneri i Olimpikut të Marsejës, Didier Deshamps, ka pranuar se shanset e skuadrës së tij për të kaluar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve pas humbjes 2-0 në shtëpi përballë Bajern Mynih janë minimale.
Marsejezët mbërritën vetëm në darkë në Mynih, arena e suksesit të tyre më të madh ndërkombëtar në vitin 1993, ku u shpallën Kampionë Evrope pikërisht me Deshamps si kapiten.
“Do të kemi kundër shumë cilësi por në fund nuk dëshirojmë të na mbetet asgjë pishman dhe do të shohim se çfarë del nga kjo sfidë. Por shanset tona janë minimale”, pranoi trajneri Deshamps.
Marseja nuk po kalon një sezon të mirë dhe aktualisht ka humbur 8 nga 9 ndeshjet e tyre të fundit në të gjitha turnetë. Kjo është arsyeja pse trajneri i marsejezëve beson se skuadra nuk mund të bëjë një lojë ofensive në këtë sfidë.
“Duhet të bëjmë maksimumin tonë në të gjitha pjesët e lojës, nuk mund të hidhemi tërësisht para që në fillim. Ne do të na duhet të mbrohemi, ashtu siç bëmë në 43 minutat e para në takimin e parë”.
“Kjo vazhdon të jetë një çerekfinale e Ligës së Kampioneve. Duhet të jemi realistë, por të paktën duhet të hyjmë me një mentalitet fituesi. Dua t’i tregoj lojtarëve se është privilegj që jemi këtu, por ky privilegj vjen bashkë me përgjegjësi”, përfundoi Deshamps. (LajmeShqip.com)
Monday, 02 April 2012 19:23