Bajern Mynih ka treguar se e ka seriozisht dhe se këtë vit është pretendent për të fituar Ligën e Kampioneve, ashtu siç është në garë edhe për Kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë. Pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë në Francë ndaj Olimpikut të Marsejës, bavarezët kanë përsëritur të njëjtin rezultat edhe në shtëpi, duke zhvilluar një lojë spektakolare dhe duke dominuar që nga minuta e parë në të fundit, ndonëse trajneri Heinkes kishte lënë pushim Gomez, Roben e Shvajnshtajger.
Ekipit gjerman i mjafton një paraqitje spektakolare e Frenk Riberi dhe e Ivica Oliç, me të parin që ndërton aksione dhe të dytin që finalizon në mënyrë perfekte. Kroati shënon dy herë në portën e Mandanda, në minutat 13 dhe 37, për të treguar se nuk ka humbur nuhatjen para porte, ndonëse ka shumë kohë që ngroh stolin.
Pjesa tjetër e ndeshjes është një dialog i Riberi me Mandanda, ku portieri i ekipit francez tregohet heroik duke evituar gola të sigurt në katërkëndorin e tij.
Mbyllet 2-0 mes duartrokitjeve të publikut vendas që pret me padurim sfidën ndaj Real Madrid, me shpresën që të eliminojë spanjollët dhe të luajë për herë të parë një finale të Ligës së Kampioneve në shtëpi. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 April 2012 22:37