Barcelona pa Mesin nuk është aq e rrezikshme sa mendohet dhe kjo është vërtetuar më së miri në sfidën që katalanasit kanë luajtur sot në “Parc Des Princës” përballë PSZH në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, takim i përfunduar me rezultatin 2-2. Ashtu siç pritej, ka qenë një ndeshje spektakolare, por që gjithsesi është ndikuar nga disa episode.
Fillimisht ishin vendasit që krijuan rastet më të pastra me Ibrahimoviç e Lavecin, me këtë të fundit që goditi shtyllën. Por më pas katalanasit vendosën diktatin e tyre në fushën e lojës, duke arritur të gjenin rrugën e rrjetës me të zakonshmin Mesi, i aftë të shfrytëzonte një pasim të jashtëzakonshëm të Dani Alvesh por të mposhtur Sirigun. Por më pas, argjentinasi dëmtohet dhe nuk hyn në fushën e lojës në pjesën e dytë, duke bërë që forca ofensive e Barcelonës të bjerë ndjeshëm.
PSZH merr zemër dhe pak nga pak, duke shfrytëzuar aftësitë në lojën ajrore të Ibrahimoviç, merr gjithnjë e më shumë iniciativë. Në minutën e 80-të, vjen episodi që ndikon ndeshjen. Pas një goditje dënimi, Tiago Silva gjuan me kokë dhe godet shtyllën, ndërsa topin e shtyn në rrjetë Ibrahimoviç që në atë moment ishte në pozicion jashtë loje. Por për gjyqtarin Stark dhe për asistentët e tij, goli është i rregullt dhe Barcelona detyrohet të nisë lojën nga qendra.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në minutat e fundit dëmtohet edhe Maskerano, duke i lënë vendin të riut Bartra. Por katalanasit arrijnë gjithsesi të kthehen përsëri në avantazh pas penalltisë të fituar nga Sançez përballë portierit Sirigu. Nga pika e bardhë gjuan Ksavi që nuk gabon duke kaluar para Barcelonën në minutën e 89-të të takimit. Duket sikur ndeshja ka mbaruar, por forca e dëshpërimit sjell mrekullinë për PSZH në minutën e 95-të të takimit. Ibrahimoviç ul topin për Matudi, i cili gjuan në hyrje të zonës dhe dërgon topin në rrjetë, pavarësisht devijimit të Valdes.
Barazimi lë gjithçka të hapur për ndeshjen e javës së ardhshme në “Kamp Nou” por tashmë katalanasit presin me ankth të mësojnë situatën e Mesit, pasi dukej qartë që me dëmtimin dhe largimin e tij nga fusha e lojës, nuk ishin me ekipi i frikshëm që vitet e fundit është cilësuar në skuadrat më të mira të të gjitha kohëve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 02 April 2013 23:54