Lionel Mesi ka fituar për të tretin vit radhazi “Topin e Artë”, duke lënë pas në votim shokun e tij të skuadrës, spanjollin Ksavi dhe portugezin e Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo.
Talenti argjentinas është futbollisti i dytë në historinë e futbollit pas Mishel Platini që e fiton këtë çmim për të tretin vit radhazi, ndërsa falë moshës së tij të re, mund ta fitojë edhe shumë herë të tjera këtë trofe duke qenë aktualisht futbollisti më i mirë në botë.
Edhe këtë radhë, votimi ka qenë në mënyrë të padiskutueshme në favor të tij, pas Mesi ka marrë 47.8% të votave, i ndjekur nga Kristiano Ronaldo me 21.6% dhe Ksavi me 9.23%.
Vetë argjentinasi ka qenë shumë i emocionuar për këtë trofe të tretë që tashmë e ka renditur atë mes legjendave të futbollit botëror. Por ai nuk ka ngurruar të tregojë se mbetet një person shumë i thjeshtë, duke ia dedikuar çmimin pikërisht Ksavit.
“Është një kënaqësi e madhe për mua të fitoj “Topin e Artë” për herën e tretë, një nder i jashtëzakonshëm. Unë dua të falënderoj shokët e skuadrës, lojtarët dhe trajnerët që votuan për mua. Dua të falënderoj shokët e skuadrës te Barcelona dhe Argjentina, pasi pa ndihmën e tyre, kjo nuk do të kishte qenë e mundur”.
“Më shumë nga të gjithë, unë do ta ndaj këtë trofe me Ksavin. Ti e meriton këtë trofe po aq sa edhe unë”, u shpreh argjentinasi mes duartrokitjeve të publikut. (LajmeShqip.com)
Monday, 09 January 2012 21:10