Më shumë se gjysmë milioni tifozë të Borusia Dortmund kanë aplikuar për blerjen e biletave të finales së Ligës së Kampioneve ndaj rivalëve të përjetshëm të Bajern Mynih, në takimin që do të zhvillohet me 25 maj në stadiumin e “Uemblit”.
Problemi është se skuadra e Jurgen Klop do të ketë në dispozicion vetëm rreth 24 mijë bileta për këtë ndeshje, ndërsa brenda 24 orësh pas kualifikimit në finale, kërkesat kishin kaluar numrin 250 mijë, një shifër që tani është dyfishuar.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi gjerman, i cili bëri të ditur se deri të dielën, kishte marrë 502567 kërkesa për bileta, një shifër e jashtëzakonshme.
“Është absolutisht një çmenduri”, ishte komenti nga vetë zyrtarët e klubit, të cilët kanë menduar që gjithçka ta zgjidhin në mënyrë sa më demokratike që të jetë e mundur. Ata do të organizojnë në javën e ardhshme një short për të përcaktuar se cilët janë ata fatlumë që do të gëzojnë një nga 24042 biletat që kanë në dispozicion.
Çmimet e biletave pritet të jenë nga 60 paund, deri në 330 paund, shumë të larta për tifozët gjermanë të cilët në stadiumet e tyre paguajnë bileta shumë më të lira, sepse çdo klub mendon edhe për tifozin mesatar, që nuk ka luksin të ulet në zonën VIP. (LajmeShqip.com)
Monday, 06 May 2013 19:39