Borusia Dortmund ka filluar lojën psikologjike ndaj Bajern Mynih një javë para finales së Ligës së Kampioneve mes dy skuadrave, duke u kujtuar rivalëve bavarezë disa nga momentet më të dhimbshme të historisë së klubit.
Në muzeun e klubit është vendosur fanella e Mançester Junajtid e sulmuesit norvegjez Ole Gunar Solskjaer, lojtari i cili në vitin 1999 theu zemrat e tifozëve bavarezë me golin e tij në minutën e 94-t të finales së Ligës së Kampioneve, në atë që cilësohet përmbysja më historike e të gjitha kohëve.
Klubi është munduar të maskojë talljen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shfaqur këtë objekt të ri në muzeun e tyre si pjesë e një suksesi të skuadrës gjermane përballë “djajve të kuq”. Ajo është fanella që Soskjaer ka ndërruar me Knut Reinhardt pasi ekipi gjerman eliminoi Mançester Junajtid në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve të vitit 1997, ndaj ka një peshë historike në vetvete, sepse në atë edicion Borusia më pas fitoi turneun duke mundur 3-1 në finale Juventusin.
Por gjithsesi, të gjithë e kanë kuptuar që objektivi kryesor i drejtuesve të klubit ka qenë të talleshin me Bajernin. Shumëkush pret që në ditët në vazhdim, në ambientet e muzeut të shfaqet edhe ndonjë bluzë që lojtarët e Borusias kanë kujtim nga Drogba, për t’u kujtuar rivalëve një tjetër moment të dhimbshëm të historisë ku shfaqet dobësia e tyre në minutat e fundit të ndeshjeve vendimtare. (LajmeShqip.com)
Saturday, 18 May 2013 09:26