Çelsi është ngjitur përsëri në vendin e tretë në renditjen e kampionatit anglez duke mundur 2-1 Sandërlendin, në sfidën e “trajnerëve të urryer” siç e ka etiketuar vetë Benitez duelin e tij ndaj Poalo Di Kanios. Të dy trajnerët janë ndeshur me kundërshtimin e tifozerisë së vet që në fillimin e karrierës në stolin e skuadrës, arsye pse kjo ndeshje ishte shumë e veçantë.
Çelsi, që luante në fushën e vet, ka dominuar takimin por në fundin e pjesës së parë është gjendur në disavantazh pas autogolit të Azpilikueta. Por përsëri një autogol në fillimin e pjesës së dytë ka vendosur barazinë në shifra, pasi Kilgallon ka dërguar topin në portën e vet. Pak minuta më vonë, një gjuajtje e David Luiz, e përfunduar në rrjetë pas devijimit të Ivanoviç, i ka dhënë tri pikët londinezëve që kanë marrë përsëri vendin e tretë në renditjen e kampionatit.
Ngjitja me një pozicion e bluve erdhi pasi Totenhemi ka bërë një hap të gabuar duke barazuar në shtëpi me Evertonin dhe tashmë duke i dhënë shanse të mëdha ndjekësve që ta arrijnë në vendin e katërt të renditjes. Një gol i Adebajor që në minutën e parë nuk mbuloi dot një paraqitje që la për të dëshiruar dhe vetëm aftësitë para porte të Sigurdson pak minuta para fundit vunë barazinë në shifra pasi Xhagielka e Mirajas i kishin dhënë një avantazh të merituar Evertonit. (LajmeShqip.com)
Premier League
Java 32 / Rezultatet
Liverpul-Uest Hem 0-0
Totenhem-Everton 2-2
1’ Adebajor, 87’ Sigurdson / 15’ Xhagielka, 53’ Mirajas
Çelsi-Sandërlend 2-1
47’ (ag) Kilgallon, 55’ Ivanoviç / 45’ (ag) Azpilikueta
Njukasëll-Fullhem 1-0
90’+3’ Cise
Klasifikimi: Mançester Junajtid 77 pikë, Mançester Siti 62, Çelsi 58, Totenhem 58, Arsenal 56, Everton 52, Liverpul 49, Uest Bromuiç 44, Suonsi 41, Fullhem 39, Sauthempton 37, Uest Hem 37, Njukasëll 36, Noruiç 35, Stouk 34, Aston Vila 33, Sandërlend 31, Uigan 31, QPR 24, Riding 23.
Sunday, 07 April 2013 18:56