Rafael Benitez mund të jetë i kënaqur me rezultatin e tij të parë si trajner i Çelsit, pasi arriti të barazojë pa gola ndaj Mançester Sitit, por duket se ka një punë shumë të vështirë përpara për të fituar besimin e tifozëve të skuadrës.
Në ndeshjen e pasdites, tifozeria londineze bëri qartë se ishte kundër spanjollit për shkak të fjalëve që ky kishte thënë kur drejtonte Liverpulin dhe këtë ia ka bërë të qartë publikisht trajnerit. Gjatë të gjithë ndeshjes, Benitez është shoqëruar me vërshëllima sa herë që dilte nga pankina për t’i dhënë udhëzime lojtarëve, ndërsa më pas tifozët kanë kënduar në kor emrin e Di Mateos dhe thirrjet “Ti nuk je i mirëpritur këtu”, drejtuar zëvendësuesit të italianit.
Në një situatë të tillë, edhe spektakli në fushën e lojës nuk ka qenë cilësor, me dy skuadrat që kanë ruajtur mirë pozitat e tyre, eë shumë të përqendruar për të mos pësuar sesa për të shënuar. Nga një situatë e tillë ka përfituar dukshëm Mançester Junajtid që me fitoren e djeshme ka rigjetur vendin e parë në renditje.
Ndërkohë, në takimin tjetër interesant të së dielës, Totenhem ka fituar 3-1 përballë Uest Hem dhe ka bërë hapa para në renditje, duke arritur tashmë në vendin e 7-të në klasifikim, me pikë të barabarta me Arsenalin. (LajmeShqip.com)
Premier League
Java 13 / Rezultatet
Suonsi-Liverpul 0-0
Sauthempton-Njukasëll 2-0
35” Lallana, 60” Ramirez
Çelsi-Mançester Siti 0-0
Totenhem-Uest Hem 3-1
44’, 64’ Defo, 58′ Beil / 82’ Keroll
Sunday, 25 November 2012 19:17