Lajmi se Bajern Mynih do të transmetonte drejtpërdrejt në ekranin gjigand të stadiumit “Allianz Arena” ndeshjen finale të Ligës së Kampioneve mes bavarezëve dhe Borusia Dortmund, ka bërë që të ndizen ethet e finales për tifozërinë e kësaj skuadre.
Fakti që janë shumë pak bileta në dispozicion për ndeshjen në Uembli, ndërsa ato pak që ekzistojnë kanë çmime të çmendura, ka bërë që klubi gjerman të merrte këtë vendim, duke organizuar një shitje të mirëfilltë biletash, si të ishte një ndeshje e vërtetë që luhej në këtë impiant.
Në treg u hodhën në shitje 45 mijë bileta, duke menduar se ishin mjaftueshëm për të mbledhur një turmë entuziaste në stadium. Por përgjigja e tifozëve dhe interesimi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm, sepse biletat janë shitur brenda 6 orëve pasi ishin nxjerrë në shitje. Aq e madhe ka qenë turma e interesuar, sa kishte njerëz që kishin zënë radhën prej 12 orësh në pritje të biletës për këtë eveniment.
Duke parë interesimin, bashkia e Mynihut po mendon të organizohet me ekrane gjigandë në pjesë të ndryshme të qytetit, në mënyrë që në rast fitoreje të Bajernit, festa të përfshijë të gjithë qytetin. (LajmeShqip.com)
Friday, 17 May 2013 19:04