Arsenali vazhdon përpjekjet për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm, pasi ka fituar për t’u ngjitur në vendin e tretë në renditjen e kampionatit anglez. “Topçinjtë” kanë djersitur shumë për të dalë me rezultatin 3-1 përballë Noruiç pasi i është dashur një përmbysje e minutave të fundit për të arritur këtë rezultat.
Në fakt ishin miqtë që u treguan shumë më të vëmendshëm në mbrojtje, si dhe arritën të kalonin në avantazh me Tërner në minutën e 56-të të takimit duke bërë që të pllakoste heshtja mes tifozëve të Arsenalit. Megjithatë, vendasit kanë arritur të përmbysin gjithçka në minutat e fundit, falë një penalltie të diskutueshme të realizuar saktësisht nga Arteta, autogolit të Basong dhe golit të tretë të realizuar nga Podolski që vulosi rezultatin e kësaj ndeshje.
Në ndeshjet e tjera bie në sy sfida mes Riding dhe Liverpul, e cila ka përfunduar me rezultatin 0-0. Ajo që ka spikatur më shumë në këtë sfidë ishte fakti se si tifozët e Liverpulit janë tallur me figurën e Margaret Theçer, e ndarë nga jeta pak ditë më parë. Shkaku i kësaj urrejtje vjen nga fakti se Theçer ka qenë në detyrë kur ndodhi ngjarja e famshme e Hillsborou dhe kohët e fundit ka dalë në pah se si shteti anglez në atë periudhë është munduar të fshehë në çdo mënyrë përgjegjësinë e policisë për atë ngjarje tragjike ku humbën jetën 96 tifozë. (LajmeShqip.com)
Premier League
Java 33 / Rezultatet
Arsenal-Noruiç 3-1
85’ (p) Arteta, 88’ (ag) Basong, 90’ Podolski / 56’ Tërner
Aston Vila-Fullhem 1-1
55′ N’Zogbia / 66′ Delf
Everton-QPR 2-0
40′ Gibson, 56′ Aniçebe
Riding-Liverpul 0-0
Sauthempton-Uest Hem 1-1
59′ Ramirez / 66′ Keroll
Klasifikimi: Mançester Junajtid 77 pikë; Mançester Siti 65; Arsenal 59; Totenhem 58, Çelsi 58; Everton 55; Liverpul 50; Uest Bromuiç 44; Suonsi 41, Fullhem 41; Sauthempton 38, Uest Hem 38; Noruiç 35; Stouk 34, Njukasëll 34, Aston Vila 34; Sandërlend 31; Uigan 31; QPR 24, Riding 24.
Saturday, 13 April 2013 20:18