Arsenali më në fund ka filluar t’i gëzohet blerjeve të reja të këtij sezoni, pasi ka parë kontributin e tyre në fitoren e thellë 5-1 ndaj Uest Hem, në takimin e prapambetur të kampionatit anglez. Olivier Zhirud shënoi dy gola, ndërsa Lukas Podolski një, por duke dhënë pasime për tre gola të tjerë.
Arsenali shpërtheu në pjesën e dytë të ndeshjes me 3 gola në 12 minuta, ndërsa kishte qenë në disavantazh pas golit të Kolison. Podolski, i cili e mori veten nga një situatë gripale sa për të luajtur në këtë sfidë, shënoi me një gjuajtje nga distanca për të vënë menjëherë barazpeshën dhe qetësinë në stadium, me tifozët që ishin shumë të pakënaqur nga paraqitja e skuadrës në këto 45 minuta.
Por në pjesën e dytë, ishte Zhirud që çoi Arsenalin në avantazhin 2-1, para se Podolski të fillonte spektaklin e tij në krahun e majtë të sulmit, duke dhënë pasimet për golat e Santi Kazorla, Teo Uollkot dhe Olivier Zhirud, që vulosën rezultatin përfundimtar 5-1 që kur kishin mbetur edhe 30 minuta lojë.
Në fund të ndeshjes ka ndodhur edhe një episod mjaft i veçantë, pasi Arsen Venger u ka kërkuar gazetarëve që të shkurtonin konferencën për shtyp, pasi kishte “punë që duheshin bërë për merkaton e janarit”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 January 2013 09:04