Piloti i Ferrarit, Fernando Alonso, pret që 5 skuadra të luftojnë për fitoren në Çmimin e Madh të Australisë që hap sezonin e Formula 1 në këtë fundjavë. Duke u bazuar te ajo që ndodhi një vit më parë, me 7 fitues të ndryshëm në 7 garat e para, piloti spanjoll mendon se dueli do të jetë po aq i ethshëm.
“Askush nuk e di se kush mund të fitojë garën e parë në këto momente. Tani duhet të japim disa përgjigje që testimet e dimrit nuk i japin kurrë”, tha ai në konferencën e tij në ditën e parë në pistën e Melburn.
“Ndoshta nuk do të jetë krejtësisht si në vitin e kaluar kur kishim 7 fitues në 7 gara, por unë pres që të jenë 5 skuadra që kanë avantazh ndaj të tjerave dhe luftojnë si të barabarta për fitoret në 5 garat e para”, tha ai duke iu referuar skuadrave të Ferrarit, Red Bull, MekLaren, Mercedes dhe Lotus.
“Por mes këtyre 5 është e vështirë të thuhet se kush është 2 apo 3 të dhjetat e sekondës më i shpejtë, distancë që të garanton fitoren. Tani është shumë e vështirë të zgjedhësh një favorit”, tha Alonso, i cili e sheh veten mes pretendentëve për titull, pasi mendon se ka një makinë shumë më të mirë se sa ajo me të cilën filloi sezonin e kaluar.
“Mendoj se nuk ishte e vështirë për ne që të fillonim më mirë se në vitin e kaluar, pasi është e pamundur ta nisësh vitin më keq se aq. Tani vijmë në garën e parë me 100% të potencialit të makinës. Unë kam pasur privilegjin të luftoj për titull në 2 nga 3 vitet e fundit. Prandaj dua të kem përsëri këtë mundësi, ndoshta këtë radhë duke ndryshuar disi rezultatin përfundimtar”, tha piloti spanjoll. (LajmeShqip.com)
Thursday, 14 March 2013 14:43