Slon Stefens ka arritur të dhurojë surprizën më të madhe të turneut të Australian Open për femra, pasi eliminoi idhullin e saj të fëmijërisë, Serena Uilliams, për t’u kualifikuar në gjysmëfinalen e këtij turneu.
Ndonëse Serena Uilliams fitoi setin e parë me rezultatin 6-3, shanset e saj për një sukses u reduktuan pasi pësoi një dëmtim muskulor në shpinë gjatë setit të dytë. Kjo solli edhe shpërthimin e Stefens që shumëkush e ka cilësuar pikërisht si pasardhësen e Serena Uilliams, për mënyrën e lojës agresivë që bën në rrjetë. 19 vjeçarja arriti të merrte setin e dytë me rezultatin 7-5, duke treguar edhe forcë psikologjike pasi kishte humbur fillimisht avantazhin e dy pikëve, nga 5-3 në 5-5.
Në setin e tretë, Uilliams provoi të kthehej në ndeshje, por Stefens kishte fituar një avantazh të ndjeshëm psikologjik dhe nervozoi tenisten numër 3 në renditjen e turneut, e cila ishte në avantazh 4-3, por humbi setin me rezultatin 6-4 dhe i dha lamtumirën turneut.
Në gjysmëfinale, Stefens do të ndeshet me numrin 1 të botës, Viktoria Azarenka, e cila mundi lehtësisht Svetlana Kuznetsova me rezultatin 7-5, 6-1. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 23 January 2013 09:24