Finalja e Australian Open për femra do të diskutohet mes bjelloruses që mban numrin 1 në botë, Viktoria Azarenka dhe kinezes Na Li, të cilat siguruan pjesëmarrjen e tyre në finalen e parë madhore të vitit falë dy paraqitjeve të shkëlqyera në gjysmëfinale.
Azarenka kaloi jo pa vështirësi zbulimin e turneut, amerikanen 19 vjeçare Slon Stefens, e cila vetëm një ditë më parë mundi Serena Uilliams. Tenistja bjelloruse fitoi në dy sete, 6-1 dhe 6-4 përballë Stefens e cila dukej se kishte humbur shumë energji në ndeshjen përballë bashkëkombëses të saj. Por Azarenka kaloi një krizë paniku në setin e dytë që nuk po mundej ta mbyllte, pavarësisht tentativave të njëpasnjëshme dhe u desh një ndërprerje e gjatë e takimit që ajo të qetësohej, siç pranoi edhe vetë pas ndeshjes.
Bjellorusja pritet të ketë një detyrë edhe më të vështirë në finale, ku ka përballë kinezen Na Li, numri 6 i botës, që mundi lehtësisht 6-2, 6-2 pretendenten për fitoren e turneut, rusen Maria Sharapova. Edhe pse numri 2 i botës kishte treguar gjatë javës së fundit se ishte në një formë të shkëlqyer, ajo nuk i rezistoi lojës së 30 vjeçares kineze që tregoi forcën e saj me gjuajtjet që nga fundi.
“Mendoj se Li bëri një lojë shumë më të mirë se unë, u tregua më agresive dhe ka mundësi reale për të fituar këtë trofe”, u shpreh pas ndeshjes Sharapova që humbi mundësinë për të rifituar vendin e parë në renditjen botërore. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 January 2013 09:05