Sonte nga stadiumi i Monacos, çunat e Pep Guardiolas dolën me edhe një trofe. Barcelona e mposhti Porton, në ndeshjen e vlefshme për Superkupën e Evropës, me golat e dy yjeve, Lionel Messit, që shënoi në fundin e pjesës së parë dhe atë të Cesc Fabregasit, që e vulosi fitoren në fundin e pjesës së dytë të lojës.
Përveç klubit aktual, që ia mposhtën ditë më parë, magjistarët e katalunisë, ia mposhtën Mourinhos edhe ish-klubin. Me rezultatin 2:0, katalunasit kësaj radhe e mposhtën klubin me të cilin Mou, si trajner, e kishte fituar njëherë Ligën e Kampionëve.
Brenda krejt pak ditësh, skuadra më e mirë në botë, Barcelona, radhiti dy trofe në vitrinat e saj. Pasi e mposhti Realin e Madridit, në ndeshjen plot tension, të vlefshme për Superkupën e Spanjës, me jo shumë vështirësi sonte “Blaugrana” e mposhti Porton.
Barcelona, me të vërtetë u tregua skuadra e trofeve, e cila me lojën e saj, kompaktësinë, artin dhe ngjyrat po i jep kuptim futbollit të këtij shekulli.
Në aspektin e statistikave, në ndeshjen e sontme, Barcelona e posedoi topin 75 për qind, derisa Porto e preku atë vetëm në 25 për qind të kohës. Ndërsa, përveç me dy gola në rrjetë, kampioni i Portugalisë në natën e sontme u nda edhe me dy kartona të kuq. Ndryshe, nuk ndaleshin yjet e Barçës. (LajmeShqip.com)
Friday, 26 August 2011 22:57