Kombëtarja shqiptare rrezikon seriozisht që të mos luajë asnjë ndeshje miqësore dhe kualifikuese për Euro 2016 në Shqipëri. Shkak bëhet stadiumi, duke qenë se vendi ynë nuk ka një impiant të përshtatshëm për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Deri para pak kohësh u fol se pasi të niste prishja e stadiumit “QemalStafa”, federata dhe shteti shqiptar ose qeverisja vendore (bashkitë) do të ndërhynin në rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës, me qëllim që aty të mund të luante edhe Kombëtarja, por burokracitë e shumta, si dhe një lloj tërheqjeje e qeverisë aktualeshqiptare ka lënë gjithçka pezull.
Kështu, aktualisht Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka një stadium që të paktën t’u përafrohet standardeve që kërkon UEFA, por edhe pse këtë gjë e di fort mirë si FSHF-ja dhe shteti shqiptar, fakt është se nuk është ndërmarrë asnjë nismë, çka të bën të besosh se për takimet e radhës Kombëtarja shqiptare do duhet të gjejë një stadium jashtë kufijve.
Zërat në ambientet sportive flasin për një emigrim të kuqezinjve në stadiumet e Zvicrës ose Turqisë, kjo natyrisht do të varet edhe nga marrëveshjet e momentit që do mund të bëjë federata jonë. Në fakt, një gjë e tillë indirekt thuhet edhe në reagimin e FSHFsë.
“Federata Shqiptare e Futbollit nuk mund ta ndërtojë stadiumin e vetme. Këtë gjë e kemi deklaruar prej kohësh, që në momentin e parë kur është hedhur ideja e ndërtimit të një impianti të ri. Thënë këtë, nuk mjafton vetëm buxheti, por edhe dëshira e vullneti mes palëve për ndërtimin e kësaj vepre. Në të tilla kushte, ne si federatë i jemi drejtuar UEFAs dhe do presim direktivat e saj. Ndaj Kombëtarja do luajë aty ku të na lejojë UEFA” ka pohuar drejtori i zyrës së shtypit në FSHF, Lirim Zalla, citon Panorama-Sport.
Kujtojmë që UEFA i ka mbyllur sytë për vite me radhë për “Qemal Stafa”-n, duke lejuar që aty të luhen ndeshje ndërkombëtare si të klubeve (në Kupat e Europës) dhe Kombëtares. Por, sipas burimeve në FSHF, inspektori i deleguar i qeverisë së futbollit europian ka qenë i prerë me FSHF-në, teksa pohonte se ndeshja me Zvicrën do të ishte e fundit që do të lejohej nga ana e tyre.
Në të tilla kushte, me një “Qemal Stafa” të degraduar, me një “Loro Boriçi” jashtë çdo standardi që kërkon UEFA, duket se Kombëtarja jonë, por edhe klubet pjesëmarrëse në Kupat e Europës do të detyrohen të emigrojnë duke filluar nga 2014-ta, nëse do duan të luajnë ndeshje ndërkombëtare
Wednesday, 20 November 2013 13:47