Piloti i Red Bull, Mark Ueber, ka vendosur t’i japë lamtumirën botës së Formula 1 në fund të sezonit, lajm të cilin e ka konfirmuar vetë ai. Australiani 36 vjeçar, që nga viti i ardhshëm do të përfshihet në një program të ri garash me Porsche, ku parashikohet edhe pjesëmarrja e tij në garën e famshme 24 orësh të Le Mansh.
Lajmërimin ai e ka dhënë vetë nëpërmjet faqes së internetit, duke e cilësuar këtë si momentin e duhur për të hedhur një hap drejt një gare shumë entuziazmuese.
“Pres me padurim që të nis një nga makinat sportive më të shpejta që ekzistojnë. Porsche ka shkruar historinë e garave automobilistike si prodhues makinash dhe është sinonim i paraqitjes dhe teknologjisë së avancuar. Jam i paduruar për të filluar këtë sfidë të re pas viteve të mia në Formula 1”, ishin fjalët e pilotit australian që për momentin mban vendin e pestë në renditjen e Botërorit të Formula 1. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 June 2013 12:33