Jurgen Klop sheh me pozitivistet paraqitjen e Borusia Dortmund në finalen e Ligës së Kampioneve, ku pavarësisht humbjes, ekipi i tij u paraqit në mënyrë mëse dinjitoze.
“Londra ishte qyteti olimpik dhe ne arritëm të ktheheshim nga atje me një medalje të argjendtë. Kam dëgjuar për rezultate më të dobëta se kaq”, ishte komenti ironik i trajneri të Borusias për të gjithë ata që e cilësuan një dështim vendin e dytë.
“Ka zhgënjim, ka edhe mërzi për një ndeshje të tillë, por kjo është normale. Të vjen keq sepse na u dha mundësia por nuk e shfrytëzuam. Megjithatë së shpejti do të vijë edhe ndjesia se sa fantastike ishte të shkonim deri në atë pikë falë asaj që kemi bërë në tre sezonet e fundit, ku jemi përmirësuar vazhdimisht”.
“Ishte një goditje për ne por do të menaxhojmë situatën. Unë e kam varur medaljen e argjendte përkrah atyre të kampionateve dhe Kupave të fituar”, ishte mesazhi i qartë i tij, duke e vlerësuar si sukses pjesëmarrjen e Borusias.
Në fund, trajneri ka deklaruar se duhet t’i jepen fund spekulimeve rreth Levandovskit, për sa kohë nuk ka asnjë ofertë zyrtare për të.
“Deri më sot nuk ka asnjë ofertë zyrtare nga Bajern Mynih ndaj unë vazhdoj të mendoj se Robert do të luajë me ne edhe në sezonin e ardhshëm. Do të shohim në ditët në vazhdim se si t’i japim fund këtyre spekulimeve. A më mërzit fakti nëse ai ikën te Bajern? Nuk përbën problem, pasi jemi profesionistë dhe ai është sjellë si i tillë. Unë për vete mund të punoj në cilëndo lloj situate. Por gjëja e çuditshme është se të gjithë e quajnë marrëveshjen të mbyllur, edhe pse nuk ka asnjë ofertë”, deklaroi Klop. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 28 May 2013 10:18