Ethet e finales së Ligës së Kampioneve mes dy skuadrave gjermane kanë bërë që të gjithë forcat e ruajtjes së rendit në Gjermani të aktivizohen dhe të jenë në gjendje të lartë gatishmërie. Nuk bëhet fjalë për të evituar përplasje të mundshme mes tifozëve të Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund, por frikës për sulme terroriste në sheshet e qyteteve.
Sipas “Spiegelonline”, Jorg Zirke, presidenti i Zyrës së Anti-krimit në Gjermani, ka vënë në gatishmëri të lartë Ministrin e Brendshëm si dhe guvernatorët e krahinave, pasi i frikësohet sulmeve të mundshme terroriste gjatë natës. Për këtë arsye, masa të rrepta policore janë vendosur në çdo shesh të Gjermanisë ku ka ekrane gjigande dhe ku planifikohet të grumbullohen një numër i madh tifozësh.
Nuk është bërë ende e ditur se sa konkrete është hipoteza e sulmeve të tilla, por sipas Zirke, në një mbledhje që teorikisht duhej të kishte mbetur e fshehtë, ka disa “sinjalizime që duhen marrë seriozisht”.
Ndërkohë, masat e larta të sigurisë nuk kanë evituar një protestë anti-Izrael gjatë një darke të zyrtarëve më të lartë të UEFA-s në Londër. Të ftuarit në këtë darkë, mes të cilëve edhe emra si Devid Bekam e Aleks Ferguson, mbetën të çuditur kur 2 burra dhe një grua, në mes të kësaj darke zyrtare, filluan të protestonin duke hedhur slogane kundër zhvillimit të Evropianit U-21 në Izrael. Nuk është mësuar ende se si tre protestuesit kanë mundur të futen deri në sallë, por ata duket se ishin përgatitur me kohë për një gjë të tillë pasi ishin mimetizuar me turmën duke kaluar me suksese masat e rrepta të sigurisë në ndërtesën ku zhvillohej kjo darkë e UEFA-s. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 May 2013 18:03