Niko Rosberg me Mercedes do të niset i pari në pistën e qytetit të Montekarlos pasi siguroi sot pole-position në Çmimin e Madh të Monakos. Piloti gjerman, që mori në këtë mënyrë pole-position të tij të tretë radhazi, mundi shokun e skuadrës, Luis Hemilton, që në këtë mënyrë garantojë një vijë të parë nisje krejtësisht të skuadrës Mercedes.
Ky pozicionim i dy pilotëve i bën ata menjëherë pretendentë kryesorë për të fituar garën, pasi dihet se në Monako parakalimet janë thuajse të pamundura, sado e ngadaltë të jetë makina që gjendet para. Megjithatë, skuadra Mercedes duhet ende të tregojë se sa mund të rezistojë në garë, pasi pavarësisht katër pole-position radhazi me Hemilton e Rosberg, në garë nuk ka arritur të marrë rezultatet e shpresuara.
Për më tepër, Rosberg dëshiron që të festojë në mënyrën më të mirë të mundshme fitoren në rrugët e principatës të babait të tij, Keke Rosberg, 30 vite më parë, mundësisht duke ndjekur të njëjtin shembull e duke dominuar në këtë pistë.
Pas dy makinave Mercedes janë renditur dy makinat Red Bull, me Vetel që është vendosur para shokut të skuadrës, Ueber. Vendi i pestë i ka shkuar Kimi Raikonen me Lotus, ndërsa i gjashti Fernando Alonsos me Ferrari. Një hap para duket se kanë bërë dy makinat MekLaren me Perez që siguroi vendin e 7-të në nisje dhe Baton vendin e 9-të.
Ndërkohë, Felipe Masa do të niset nga vendi i fundit pasi braziliani u përplas para kualifikuesve duke shkatërruar plotësisht makinën e tij dhe nuk kishte mundësinë të regjistronte xhiro të shpejta. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 May 2013 17:56