Diego Armando Maradona dhe Mishel Platini duket se vazhdojnë duelet e tyre sportive edhe shumë vite pasi kanë mbyllur karrierën si futbollistë. Presidenti i UEFA-s duket se këtë radhë ka shfrytëzuar postin e tij për t’i punuar një rreng argjentinasit, i cili nuk do të ketë mundësinë të ndjekë finalen e Ligës së Kampioneve mes Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund në “Uembli”, pasi ka mbetur pa bileta për këtë sfidë.
Denoncimi i kësaj ngjarje ka ardhur nga avokati i Maradonës, Anxhelo Pisani, i cili nuk ka kursyer kritikat ndaj UEFA-s dhe sidomos asistentëve të Platini.
“Maradona është zhgënjyer nga stafi i Platini, që i ka mohuar biletat që Diego kishte kërkuar të blinte për finalen e Ligës së Kampioneve. Vetëm një ditë para ndeshjes, Maradonës iu komunikua se nuk kishte bileta për të, pasi ato ishin shitur. Diego ka mbetur i shtangur përballë një përgjigje të tillë nga asistentët e Platini, i cili vetë i ishte lutur të bënte këtë kërkesë për bileta, që të ishte i pranishëm në finale”, deklaroi avokati i Maradonës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 May 2013 08:57