Trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, është i ndërgjegjshëm se Borusia Dortmund nuk është favorite për të fituar Ligën e Kampioneve në finalen e sotme ndaj Bajern Mynih nëse nuk shprehet në maksimumin e saj. Sipas tij, vetëm një paraqitje e shkëlqyer në “Uembli” mund t’u garantojë trofeun përballë armatës së pandalshme të Jup Heinkes që shihet si ekipi më i fortë në kontinent.
“Skuadra ka pësuar rritje gjatë pesë viteve të fundit dhe mendojmë se një gjë e tillë ishte e mundur të ndodhte vetëm në këtë klub. Kjo është arsyeja pse jemi pak më të emocionuar se zakonisht. Ka njerëz që i janë ngjitur Everestit dhe i është dashur të kthehen prapa në 10 metrat e fundit, por të paktën ata e provuan. Edhe ne po e bëjmë provë të ngjitemi në majë gjithashtu”, ishte metafora që përdori tekniku gjerman për të shpjeguar këtë sezon të jashtëzakonshëm ndërkombëtar për skuadrën e tij, e cilësuar si surpriza më e madhe e Ligës së Kampioneve.
“Por për të qenë i përgatitur për çdo detaj, do të thotë se duhet të bësh mirë gjithçka. Në këtë sfidë janë dy skuadra të forta që luajnë ndaj njëra-tjetrës dhe e gjithë bota do ta shohë këtë ndeshje. Duhet të luajmë shumë mirë, përkundrazi nuk do të kemi asnjë shans. Duhet të bëjmë maksimumin, pasi ky është shansi i vetëm që na jepet për të fituar trofeun”, tha trajneri gjerman që në vitet e fundit është kthyer në një personazh mjaft të famshëm dhe po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 May 2013 08:52