Trajneri i Bajern Mynih, Jup Heinkes, mendon se ndeshja e të shtunës me Borusia Dortmund në “Uembli”, do të jetë mundësia e tij e fundit për të fituar Ligën e Kampioneve. Duket se trajneri gjerman ka vendosur të largohet përfundimisht nga futbolli, ndonëse është përfolur se mund të marrë oferta të rëndësishme nga skuadra të tjera pasi t’i lëshojë vendin Pep Guardiolës.
“Të shtunën e kaluar ishte ndeshja ime e fundit si trajner në Bundesligë dhe nesër do të jetë mundësia ime e fundit për të mbajtur një trofe të tillë në dorë”, tha ai para gazetarëve në konferencën e fundit për shtyp të skuadrës bavareze para finales.
Sipas tij, ndeshja që do të zhvillohet në “Uembli” për të festuar 150 vjetorin e krijimit të Federatës Angleze të Futbollit, mund të flasë për bavarezët nëse ata luajnë si skuadër dhe jo si individë.
“Ky stadium është një vend me traditë në futbollin anglez, evropian dhe ndërkombëtar. Është një incentiv i jashtëzakonshëm për lojtarët të luajnë në një stadium të tillë finalen e Ligës së Kampioneve, do të jetë një atmosferë unike”.
“Unë jam munduar të tregohem gjithmonë pozitiv, e di se çfarë mund të arrijë kjo skuadër. E kam thënë një gjë të tillë para ndeshjes me Juventusin, apo edhe para asaj me Barcelonën, ku ne nuk ishim favoritë. E kam menduar gjithmonë se mund ta fitojmë këtë turne. Kemi një skuadër të jashtëzakonshme dhe të gjithë luajnë si grup. Nëse arrijmë të shfaqim këtë anë të lojës sonë nesër, atëherë do ta fitojmë këtë sfidë”, ishe deklarata optimiste e Heinkes. (LajmeShqip.com)
Friday, 24 May 2013 21:58