Borusia Dortmund ka bërë të ditur se do t’u japë 150 mijë euro premio lojtarëve nëse këta të fundit arrijnë të bëjnë të tyrin trofeun e Ligës së Kampioneve në fundjavë, në sfidën përballë Bajern, ndërsa trajneri Jurgen Klop do të përfitojë dyfishin e kësaj shume.
Sipas mediave gjermane, kjo është premio më e lartë që ka vendosur ndonjëherë klubi i Borusia Dortmund në historinë e vet, edhe pse në sezonet e fundit është mësuar më fitoren e trofeve. As trajneri Klop nuk e priste që të bëhej gati për një çek prej 300 mijë eurosh, ndonëse e kishte të shkruar në kontratën që kishte rinovuar me klubin në vitin 2012. “Sinqerisht, as nuk e di se çfarë klauzolash të këtij lloji janë vënë në kontratën time”, pranoi tekniku i Borusias që me sa duket nuk e ka menduar asnjëherë se mund të shkojë deri në finalen e Ligës së Kampioneve.
Por nëse për Borusia Dortmund premio e finales së Ligës së Kampioneve do të jetë një rekord, bavarezët e Bajern Mynih kanë siguruar 200 mijë euro që tani vetëm për faktin se kanë mbërritur në ndeshjen e “Uemblit”. Klubi vendosi një shiofër të tillë si premio pasi mësoi se në gjysmëfinale do të ndeshej me Barcelonën dhe të gjithë lojtarët që luajtën në dy sfidat kundër katalanasve kanë përfituar një shifër të tillë pasi kaluan Mesi& Co. pa shumë vështirësi. Nuk është bërë e ditur ende se sa do të jetë shifra që do të përfitojnë nëse ngrenë trofeun, por më siguri që do të jetë një shumë mjaft e lartë pasi Bajern Mynih është aktualisht një prej klubeve më të pasur në botë.
Megjithatë, premiot e skuadrave gjermane janë asgjë po të shohësh se sa kanë përfituar lojtarët e Noruiç në Angli vetëm se mbijetuan mes më të mirëve në Premier këtë sezon. Drejtuesit e skuadrës u kanë dhënë të gjithë lojtarëve si premio rreth 300 mijë euro për mbijetesën, një shumë të përafërt me atë që përfituan lojtarët e Çelsit një vit më parë kur fituan Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 22 May 2013 09:38