Jurgen Klop ka nisur luftën e tij në distancë ndaj Bajern Mynih, duke u bërë të qartë rivalëve në finalen e Ligës së Kampioneve se skuadra e tij nuk do të jetë aq e lehtë për t’u munduar sa Barcelona apo Juventusi.
“Bajerni i fshiu Barcelonën dhe Juventusin nga stadiumi, aq sa ata e kishin të vështirë të gjenin edhe nga ishte dera. Me ne, një gjë e tillë nuk do të jetë e mundur”, ishte paralajmërimi që Klop u bëri kundërshtarëve bavarezë.
“Ne jemi një ,kundërshtar i vështirë për çdo skuadër në planet. Diferenca mes nesh dhe Bajernit nuk është aq e madhe, ndaj nuk kam dyshime se ne mund të jemi më të mirë se ata në finalen e Ligës së Kampioneve”, deklaroi trajneri i Borusia Dormtund.
Mario Gëtze ka vendosur të transferohet te Bajern Mynih në verë dhe Robert Levandovski përflitet se ka bërë të njëjtën zgjedhje në karrierën e tij. Por Klop nuk ka dyshime mbi besueshmërinë e tyre për finalen, pasi është i sigurt se dy lojtarët do të bëjnë maksimumin me fanellën e skuadrës aktuale.
“Për të dy do të ishte 1000 herë më mirë të shkonin te klubi i ri si fitues të Ligës së Kampioneve, sesa të shkonin te një skuadër që ka fituar gjithçka. Nuk ka një moment më të mirë për të treguar vlerat e tua përballë trajnerit dhe shokëve të ardhshëm të skuadrës”, tha Klop. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 May 2013 12:30