Skuadra e Mercedes ka bërë hapa gjigand para, duke konfirmuar se ka një makinë shumë të shpejtë falë paraqitjes së shkëlqyer të Niko Rosberg. Piloti gjerman regjistroi pole-position në Çmimin e Madh të Spanjës, duke dhuruar kohë të paarritshme nga pilotët e tjerë.
Këtu përfshihet edhe shoku i tij i skuadrës, Luis Hemilton, të cilit i është dashtur të kënaqet me vendin e dytë në vijën e nisjes, por gjithsesi duke vënë dy makinat Mercedes në vijën e parë.
Vija e dytë do të përbëhet Sebastian Vetel me Red Bull, përkrah të cilit do të niset Kimi Raikonen me makinën Lotus, duke premtuar shkëndija që në startin e garës.
Ferrari ka konfirmuar se për momentin nuk arrin të shprehë potencialin e vet në një xhiro të vetme, ndërsa ka zënë vijën e tretë të nisjes me dy makinat e saj, pasi Alonso dha kohën e 5-të më të shpejtë ndërsa Masa të 6-tën.
Pas tyre janë makinat e Sebastian Groszhan dhe Mark Ueber, ndërsa Serxho Perez për herë të parë në këtë sezon arriti të kualifikohej më mirë se shoku i tij i skuadrës te MekLaren, Xhenon Baton. Meksikani do të niset nga vendi i nëntë në garën e nesërme, ndërsa britaniku niset nga vendi i 14-të, pasi nuk arriti të hynte në pjesën e fundit të kualifikueseve mes 10 makinave më të mira.
Zhgënjimi i ditës është paraqitja e skuadrës Uilliams, e cila po shfaqet në nivele shumë të dobëta dhe pilotët e saj, Botas e Maldonado, nuk arritën të kalonin as kualifikuesen e parë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 11 May 2013 16:56