Otmar Hitzfeld është i bindur se dy ish-skuadrat e tij, Borusia Dortmund dhe Bajern Mynih, do të vihen përballë njëra-tjetrës në finalen e Ligës së Kampioneve të këtij edicioni.
Dortmundi shkon nesër në “Santiago Bernabeu” me avantazhin e fitores 4-1 në sfidën e parë ndaj Real Madrid, ndërsa Bajern Mynih ka fituar 4-0 ndaj Barcelonës në “Allianz Arena”. Sipas Hitzfeld, dy klubet spanjolle nuk kanë shanse që të përmbysin një disavantazh kaq të thellë.
“Unë mbetem i bindur se Dortmundi do të shkojë në finalen e Ligës së Kampioneve, ku do të ndeshet me Bajernin, por nuk do të jetë shumë e thjeshtë”, tha 64 vjeçari që tani drejton përfaqësuesen e Zvicrës. “Për më tepër, jam i bindur se as Bajerni dhe as Dortmundi nuk do të munden në Spanjë”.
Hitzfeld ka bindjen se paraqitja e këtyre dy klubeve gjermane ndaj atyre spanjolle, po tregon se si kanë ndryshuar hierarkitë në futbollin evropian.
“Nëse merr në konsideratë idenë se kryesuesit e Bundesligës mundën atë të La Liga me rezultatin 4-0 dhe skuadra e vendit të dytë në Bundesligë mundi atë që është e dyta në Spanjë me rezultatin 4-1, kjo do të thotë se shtyllat e portave tani janë zhvendosur. Ka një ndryshim në forcën e futbollit në Evropë, por Dortmundi dhe Bajerni duhet ta konfirmojnë një gjë të tillë në ndeshjet e kthimit”. (LajmeShqip.com)
Monday, 29 April 2013 18:48