Mançester Junajtid nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 në ndeshjen kundër Uest Hem të luajtur sot në fushën e këtyre të fundit. Ekipi i drejtuar nga Aleks Ferguson nuk ka shfaqur dot formën e javëve të fundit dhe është detyruar dy herë të rikuperojë disavantazhin pas golave të vendasve.
Vaz Te dhe Diame ishin autorët e golave për Uest Hem, me Valencia dhe Van Persi që arritën të dërgonin topin në rrjetë për të mos dalë të mundur nga ky udhëtim në Londër, ndonëse duhet thënë se goli i holandezit në minutën e 77-të erdhi pas një pozicioni jashtë loje të këtij të fundit.
Ndërkohë, Mançester Siti ka arritur të fitojë minimalisht 1-0 ndaj Uiganit, skuadrës që do të ketë si kundërshtare në finale e Kupës FA. Ekipi i Mançinit është shfaqur shumë më pak në formë se zakonisht dhe tri pikët e radhës erdhën vetëm falë një goli të Tevez në minutën e 83-të.
Një fitore e rëndësishme ka qenë ajo 3-0 e Çelsit përballë Fullhem, ku mbresëlënëse ka qenë paraqitja e mbrojtjes së bluve. David Luiz ka kaluar në avantazh skuadrën e tij në pejsën e parë të ndeshjes, ndërsa më pas ka qenë Xhon Terri që ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës për të vulosur rezultatin 3-0 që kthen përsëri ekipin e tij në vendin e tretë në renditjen e kampionatit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 17 April 2013 23:26