Luis Hemilton ka arritur të sigurojë pole-position të parë me makinën Mercedes falë provës së shkëlqyer që dha në kualifikueset e Çmimit të Madh të Kinës, të dominuara dukshëm nga strategjia për zgjedhjen e gomave.
Kimi Raikonen me Lotus mori vendin e dytë dhe do të niset përkrah tij në vijën e parë, ndërsa Fernando Alonso me Ferrarin doli në vendin e tretë.
Kryesuesi i kampionatit dhe njëkohësisht kampioni në fuqi, Sebastian Vetel, zgjodhi të nisej nga vendi i nëntë, pa dhënë një kohë të shpejtë në pjesën e tretë të kualifikueseve. Në këtë mënyrë ai do të nisë garën me goma të mesme, ndërsa pjesa më e madhe e pilotëve para tij do të nisin garën me goma të buta që u treguan shumë të dobëta në pistën kineze dhe do t’i detyrojnë të bëjnë një ndërrim të shpejtë në bokse.
Por shoku i tij i skuadrës me Red Bull, Mark Ueber, u përball me probleme gjatë kualifikueseve të dyta duke mos hyrë mes 10 më të mirëve dhe me shumë mundësi do ta nisë garën nga vendi i fundit.
Meqë gomat e buta ishin të mira vetëm për një xhiro të shpejtë dhe konsumohen shpejt gjatë garës, e gjitha strategjia e skuadrave ishte te ruajtja në maksimum e tyre. Kjo bëri që thuajse të gjithë të tentonin vetëm një xhiro të shpejtë në çdo kualifikuese, duke menduar më shumë për garën e nesërme. (LajmeShqip.com)
Saturday, 13 April 2013 10:24