Skuadra Red Bull ka vendosur që t’i japë fund mosmarrëveshjeve mes Sebastian Vetel dhe Mark Ueber, duke lejuar dy pilotët që të duelojnë mes tyre për pozicione në garë, duke lënë pas çdo lloj urdhri skuadre që ka ekzistuar më përpara. Vendimi është marrë nga pronari i Red Bull, Ditrih Mateshitz, i cili është mërzitur nga polemikat e panumërta që kanë lindur pas garës së Malajzisë, ku Vetel parakaloi Ueber duke thyer “kodin e brendshëm” të skuadrës.
Vetë piloti gjerman ka pranuar se ka gabuar, por njëkohësisht ka bërë të qartë se do të vazhdojë të kërkojë me çdo kusht fitoren dhe se nuk kërkon falje se është një pilot që dëshiron me çdo kusht suksesin.
“Kam kërkuar falje, por jo sepse fitova. Menjëherë pas garës shkova dhe i thashë të gjithë skuadrës që kërkoja falje se kisha vënë interesat e mia para atyre të ekipit dhe nuk kisha si qëllim ta bëja një gjë të tillë. Por nuk kisha çfarë të thosha më shumë, nuk kam pse kërkoj falje se fitova. Mendoj se ajo është arsyeja pse jam punësuar dhe për të cilën jam këtu, më pëlqen të garoj dhe kjo është ajo që bëj”, tha kampioni i botës.
Tani gjermani ka leje nga skuadra të luftojë për fitoren edhe nëse ka përpara shokun e tij të skuadrës, ndërsa as ky i fundit nuk do të jetë i detyruar t’i hapë rrugë siç ka bërë shpesh më përpara, për të favorizuar 25 vjeçarin drejt një tjetër titulli kampion. (LajmeShqip.com)
Thursday, 11 April 2013 10:20