Kimi Raikonen është kthyer në kandidatin kryesor për të marrë drejtimin e një makinë Red Bull në kampionatin e Formula 1 të sezonit të ardhshëm. Këtë fakt e ka konfirmuar vetë pronari i kësaj skuadre, Ditrih Mateshitz, i cili ka bërë të qartë se finlandezi është një prej opsioneve më të mundshme për sezonin e ardhshëm, kur Mark Ueber pritet t’i japë lamtumirën ekipit.
“Kimi është një pilot shumë i shpejtë dhe gjithmonë mbetet një kandidat për të ardhur në skuadrën tonë”, ishin fjalët e Mateshitz për pilotin që aktualisht garon me Lotus.
Megjithatë, ai bëri të qartë se mes listës së kandidatëve mbetet ende Mark Ueber, edhe pse ky i fundit mund të vendosë të largohet pasi ka kuptuar se në ekip i është dhënë shumë përparësi Sebastian Vetel dhe shanset e tij për titull thuajse nuk ekzistojnë.
“Mark sigurisht që është një kandidat për të rinovuar në vitin 2014. Vetëm ai e di nëse do të largohet apo do të qëndrojë. Ai do të mbetet gjithmonë i mirëpritur te ne”, deklaroi pronari i Red Bull për pilotin australian i cili ka një kontratë për vetëm këtë sezon me skuadrën e tij. (LajmeShqip.com)
Monday, 01 April 2013 10:24