Xhenson Baton mendon se do të jetë shumë e vështirë që të kthehet harmonia brenda skuadrës Red Bull pas asaj që ndodhi në Çmimin e Madh të Malajzisë ku Sebastian Vetel theu urdhërat duke i vjedhur fitoren në xhirot e fundit shokut të tij të skuadrës, Mark Ueber.
“Mendoj se me kalimin e kohës, kjo ngjarje do të dëmtojë më shumë Sebastian. Ne të gjithë duam të fitojmë por është në dorën e skuadrës të marrë vendimet. Shumë herë, vendimet e skuadrës kanë qenë në favorin e tij”, ka kujtuar britaniku. “Kjo situatë mund të krijojë probleme. Edhe nëse ulen ta diskutojnë këtë çështje, rezultati mbetet përsëri i njëjtë. Çfarë ka ndodhur mbetet në mendjet e tyre dhe nuk ka mënyrë që të largohet”.
Sipas Baton, një përçarje brenda skuadrës Red Bull nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të ndihmojë rivalët e tyre në luftën për fitoren e garave dhe titullit kampion.
“Është mjaft argëtuese kur ke skuadra që luftojnë brenda vetes. Në vend që të shqetësohen për atë që po bëjnë të tjerët në skuadër, ata shqetësohen edhe për atë që do të bëjë shoku i skuadrës. Shpresojmë që ne të jemi mes atyre që përfitojmë”, tha britaniku i cili ka një episod të ngjashëm në të kaluarën e tij në një duel me Luis Hemilton në vitin 2010 në Turqi.
“Luis i thanë të ulte shpejtësinë, por unë nuk e dija një gjë të tillë. Luis mendonte se mua ma kishin komunikuar të njëjtën gjë, unë e parakalova dhe ai më parakaloi përsëri. Gjithçka ishte në rregull. Por kur të thotë skuadra të bësh diçka dhe ti e injoron plotësisht, duke i kushtuar fitoren shokut të skuadrës, atëherë është një problem i madh”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 27 March 2013 11:26