Totenhemi i ka lëshuar përsëri vendin e tretë në renditje Çelsit, duke rrezikuar tashmë pozicionet në zonën që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve që arritën me shumë mund. Skuadra e drejtuar nga Andre Vijas Boas është dorëzuar në fushën e vet përballë Fullhem, duke konfirmuar se ndeshja e dobët ndaj Interit në Europa League nuk ishte një rastësi dhe se aktualisht po kalon një periudhë krize.
Si për ironi të fatit, goli i vetëm i kësaj sfide u shënua nga ish-sulmuesi i Totenhemit, Dimitar Berbatov, i cili ka kaluar dy sezone në radhët e kësaj skuadre para se të largohej drejt Mançester Junajtid në vitin 2008. Kjo ishte edhe një hakmarrje e vogël për 32-vjeçarin, i cili u përfol se do të kthehej përsëri te londinezët në fillimin e këtij sezoni, por u injorua nga Vijas Boas.
Nga gabimi i Totenhemit ka përfituar Çelsi, që ka mundur 2-0 skuadrën e Uest Hem falë golit të 200-të me fanellën e kësaj skuadre të Frenk Lampard, si dhe një tjetër goli të Eden Hazard, që është rikthyer në formën e shkëlqyer të fillimit të sezonit. Kjo fitore ka kthyer përsëri londinezët në vendin e tretë në renditje, ndërsa tashmë shohin para, sepse Mançester Siti i vendit të dytë është vetëm 4 pikë larg. (LajmeShqip.com)
Premier League
Java 30 / Rezultatet
Sandërlend-Noruiç 1-1
40’ (p) Gardner / 26’ Hulahan
Totenhem-Fullhem 0-1
52’ Berbatov
Çelsi-Uest Hem 2-0
19’ Lampard, 50’ Hazard
Uigan-Njukasëll 2-1
18’ Bosezhur, 90’ Kone / 72’ Santon
Sunday, 17 March 2013 21:49