Uejn Runi ka treguar se pavarësisht thashethemeve për formën e tij dhe për largimin e mundshëm nga Mançester Junajtid, golat e tij janë shumë vendimtarë. Sulmuesi anglez ka shënuar golin e vetëm në ndeshjen ndaj Riding, duke siguruar suksesin që çon skuadrën e tij në 15 pikë larg ndjekësve më të afërt të Mançester Sitit, kur kanë mbetur vetëm 9 ndeshje deri në fund të kampionatit.
Në një sfidë mjaft të tensionuar, përballë një skuadre që luante pa pasur një trajner pas shkarkimit të Brajan MekDermot, “djajtë e kuq” nuk e kanë pasur krejtësisht të thjeshtë të marrin tri pikët. Është dashur një paraqitje e shkëlqyer e Rio Ferdinand dhe një pasim i artë i qendërmbrojtësit që të vinte goli i vetëm i kësaj ndeshje, me autor Runin në minutën e 21-të të sfidës.
Ndërsa anglezi ka festuar golin e 16-të sezonal, vazhdon kriza para porte për Robin Van Persin, i cili ka gjetur rrugën e rrjetës vetëm një herë në 10 ndeshjet e fundit, duke bërë që të harrohet pjesa e parë e sezonit ku ai ishte kthyer në tmerrin e portierëve kundërshtarë.
Mançester Junajtid mund të zgjidhë kampionatin në dy ndeshjet e ardhshme të këtij turneu, pasi do të luajë në fushën e Sandërlend dhe kundër Mançester Sitit. Nëse arrin të fitojë të dy këto sfida, skuadra e Ferguson do ta ketë thuajse të sigurt titullin e 20-të kampion të Anglisë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 16 March 2013 23:38