Provat zyrtare të Çmimit të Madh të Australisë janë shtyrë për ditën e garës, pasi reshjet e dendura të shiut në pistën e Melburn bënë që kushtet të mos ishin të përshtatshme për makinat e Formula 1 në garën e parë të sezonit.
Pjesa e parë e kualifikuesve arriti të zhvillohej, por pjesa e dytë e tyre u shty vazhdimisht, derisa u vendos për zhvendosjen me një ditë të provave zyrtare. Kjo erdhi për faktin se parashikohej që reshjet e shiut të vazhdonin gjatë të gjithë ditës, ndërsa errësira e pasdites pushtonte pistën.
Në ato pak minuta që u arrit të garohej në pistën e Melburn në kualifikueset e para, Niko Rosberg u tregua më i shpejti me makinën Mercedes, duke lënë pas Fernando Alonso me Ferrari dhe Roman Groszhan me Lotus.
Ndërkohë, shumë pilotë patën probleme në kushtet e pistës së lagur. Hemilton, Masa, Gutierrez, Bianki, Pik dhe Van Der Garde pësuan të gjithë incidente ku dëmtuan makinën e tyre, arsye më shumë pse kontrollorët e pistës vendosën që provat zyrtare të zhvilloheshin pak orë para garës së nesërme. (LajmeShqip.com)
Saturday, 16 March 2013 10:21