Fernando Alonso nuk ka fshehur entuziazmin për mënyrën se si po reagon modeli i ri i Ferrarit, duke deklaruar se tashmë ka si objektiv fitoren e titullit kampion në Formula 1 që i ka shpëtuar nga duart në sezonet e mëparshme.
“Kemi shkurtuar diferencën me kundërshtarët tanë. Kemi më shumë besim se një vit më parë. Jemi shumë më të sigurt dhe F138 është 200 herë më e mirë se makina e mëparshme”, ishte komenti i tij entuziast gjatë testimeve parasezonale që po zhvillohen në pistën e Montmelo në Barcelonë.
“Mendoj se mund të luftoj për të fituar titullin kampion. Nuk shoh asnjë arsye pse nuk duhet ta mendoj një gjë të tillë”.
“Vitin e kaluar kishim një dimër shumë të vështirë, ishim krejtësisht të humbur pasi nuk dinim se çfarë mund të bënte makina. Por gjithsesi arritëm të luftonim për titullin kampion deri në garën e fundit në Brazil. Tani kemi një makinë që po i përgjigjet mirë modifikimeve dhe po bën atë që prisnim prej saj. Ndaj kemi potencial”, deklaroi spanjolli që vitin e kaluar humbi titullin kampion të Formula 1 në garat e fundit të sezonit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 March 2013 14:21