Mançester Siti ka mbajtur gjallë shpresat për një rikuperim ndaj Mançester Junajtid, duke fituar 2-0 ndaj Çelsit dhe duke çuar përsëri në 12 pikë diferencën me rivalët për titull që aktualisht kryesojnë renditjen e kampionatit. Një fitore që ka qetësuar disi Roberto Mançinin, por që ka komplikuar pozitat e Rafael Benitez në stolin e londinezëve, të cilët tani rrezikojnë realisht të humbin edhe vendin e tretë në renditje.
Në fakt ishte Çelsi që kishte mundësinë të kalonte në avantazh në pjesën e parë, kur Ba fitoi një penallti, por Hart arriti të grushtonte gjuajtjen nga pika e bardhë të Frenk Lampard, duke i mohuar këtij të fundit gëzimin e golit të 200-të me fanellën e londinezëve.
Më pas, kampionët në fuqi të Anglisë u treguan cinikë, duke shfrytëzuar maksimalisht rastet që iu shfaqën, fillimisht me Jaja Ture në minutën e 63-të, e më pas me Tevez në minutën e 85-të, duke marrë tri pikë të rëndësishme në luftën për titull.
Meqenëse Mançester Junajtid është shumë i shkëputur në kreun e renditjes, ndoshta më e rëndësishme për Sitin ishte që çoi në 7 pikë diferencën me Çelsin që mban vendin e tretë në renditje. Për më tepër, këta të fundit mund të kalohen nesër nga Totenhem që ka vetëm 1 pikë më pak. Duke parë se luftës për Ligën e Kampioneve i është bashkuar përsëri edhe Arsenali, vetëm 2 pikë larg bluve, tifozët kanë lëshuar përsëri kontestime të ashpra ndaj trajnerit Benitez, duke kërkuar në kor largimin e tij. (LajmeShqip.com)
Sunday, 24 February 2013 18:44