Fabio Kapelo mendon se Milani do të ketë nevojë për shumë fat nëse dëshiron të kalojë Barcelonën në Ligën e Kampioneve. Sipas trajnerit aktual të Rusisë, i cili ka drejtuar disa nga skuadrat më të mira në botë, përfshirë kuqezinjtë, diferenca aktuale mes dy ekipeve është shumë e madhe.
“Milani ka nevojë për fat. Për momentin, ka shumë diferencë mes Barçës dhe Milanit, një diferencë që në fakt është mes Barçës dhe pjesës më të madhe të skuadrave në botë”, tha trajneri për mediat italiane, duke theksuar se kuqezinjtë kanë një të ardhme të garantuar tani që kanë marrë Balotelin, lojtar që e ka habitur me shpejtësinë me të cilën është përshtatur te ekipi i ri.
“Forma e Balotelit është një surprizë për mua. Ai kishte nevojë të gjente një ambient ideal dhe të kthehej në Itali për t’u bërë një lojtar i rëndësishëm. Ajo që më mahnit është përqendrimi, përkushtimi dhe bashkëpunimi me shokët e tij të rinj të skuadrës. Nuk e kisha parë asnjëherë këtë anë të tij kur luante te Siti apo te Interi”, shpjegoi Kapelo.
Sipas trajnerit, Juventus vazhdon të jetë skuadra më e mirë në Itali për momentin, ndërsa në vendin e dytë rendit Romën, edhe pse verdhekuqtë janë shumë larg kreut.
“Bardhezinjtë janë qartësisht favoritë, ndërsa Napoli është ndikuar shumë nga problemet jashtë fushës së lojës. Goli i Totit? Ai është një lojtar me një vizion të jashtëzakonshëm, as nuk ka nevojë të mendojë ndërsa luan. Roma që njoh unë duhej të kishte qenë mes favoritëve për titull përkrah Juventusit, edhe pse këta të fundit mbeten skuadra më e fortë. Roma ka një talent të jashtëzakonshëm por fatkeqësisht kishte probleme gjatë vitit. Pas Juventusit, ata janë skuadra me potencialin më të madh në Itali”, shpjegoi Kapelo për klubin ku pozicion drejtues mban Franko Baldini, ish-asistenti i tij te Anglia. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 20 February 2013 10:53