Pas problemeve të shfaqura nga makinat Mercedes në dy ditët e mëparshme, sot e ka pasur radhën Ferrari të përfundojë në flakë dhe të lërë në mes testimet para-sezonale të Formula 1 në pistën e Herez. Ngjarja ka ndodhur kur në pistë ishte piloti spanjoll, kolaudatori Pedro De La Rosa, i cili është detyruar të parkojë makinën në krah të pistës që në xhiron e tretë, pasi ajo u përfshi nga flakët, për shkak të një defekti në kutinë e marsheve.
Ndërkohë, mes pilotëve të mëdhenj, ka shkëlqyer fillimisht Sebastian Vetel me Red Bull, i cili dhënë kohën më të shpejtë në këtë ditë testimesh gjatë provave të mëngjesit, por më pas ishte Kimi Raikonën që dha një xhiro edhe më të shpejtë gjatë pasdites me makinën e re të Lotus.
Më i shpejtë se kampioni i trefishtë i botës ishte edhe “surpriza” e këtyre provave, Zhyl Bianki, një nga pilotët e rinj të Ferrarit që për momentin po testohet te Force India. Piloti i ri i talentuar ka dhënë kohën e dytë më të mirë të këtyre testimeve, edhe pse zhvilloi më pak xhiro se të tjerët, pasi i kaloi njëvendëshen e tij pilotit zyrtar, Pol Di Resta. (LajmeShqip.com)
Friday, 08 February 2013 18:30