Skuadra Mercedes duhet të shqetësohet seriozisht për situatën që po kalon, pasi që në dy ditët e para të testimeve, makina e re ka shfaqur probleme dhe si Niko Rosberg, ashtu edhe Luis Hemilton janë detyruar të ndërpresin provat e tyre për shkak të incidenteve.
Nëse makina e pilotit gjerman përfundoi në flakë një ditë më parë, sot e kishte radhën Luis Hemilton që të ndërpriste në mes testimet, duke kryer vetëm 14 xhiro me makinën e re. Piloti britanik u përplas me shpejtësi në një nga kthesat e pistës së Herez ku po kryhen këto teste, duke përfunduar pas barrierave mbrojtëse, por fatmirësisht pa asnjë dëmtim.
Por ai kishte shkatërruar makinën në mënyrë të ndjeshme dhe kjo bëri që të mos arrinte të vazhdonte testimet gjatë kësaj dite, duke penalizuar ndjeshëm skuadrën dhe veten në ambientimin me makinën e re.
Kjo situatë vjen në kontrast të plotë me atë që po ndodh te ish-skuadra e Hemilton, MekLaren, ku zëvendësuesi i tij, Serxho Perez, ka kryer 45 xhiro gjatë ditës së sotme pa shfaqur asnjë lloj problemi.
Më shumë xhiro në këto dy ditë ka zhvilluar Mark Ueber me Red Bull, plot 101 të tilla, ndërsa kohën më të shpejtë të këtyre testimeve e ka dhënë Sebastian Groszhan me Lotus. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 February 2013 17:42