Ferrari ka prezantuar sot modelin e ri të saj për kampionatin e Formula 1, me skuadrën italiane që ka shfaqur para publikut makinën me emrin F138. Nëse vitin e kaluar rezultatet e Alonsos ishin disi një surprizë, duket se këtë vit kokëkuqja niset me idenë e qartë për të luftuar për titullin kampion, siç janë shprehur vetë pilotët e saj, Fernando Alonso dhe Felipe Masa.
“Do të ndjek me vëmendje testimet dhe do të bëj të gjitha përgatitjet e duhura për një kampionat që pritet të jetë shumë kërkues. Dua të jem në 100% dhe të punoj në maksimum bashkë me Felipe dhe Pedro. Mendoj se në këtë vit do të jetë e pamundur që të ketë 7 fitues të ndryshëm në 7 garat e para, siç ndodhi në sezonin e kaluar. Lufta për titull do të jetë mes 2-3 skuadrave dhe Ferrari është një prej tyre”, u shpreh Alonso.
Ndërkohë, Masa nuk ka ngurruar të deklarojë se në këtë vit do të kërkojë të jetë ai protagonisti i luftës për titullin kampion dhe jo një “figurant” si në sezonin e kaluar.
“Prej shumë vitesh jam këtu si pilot zyrtar. Ky është kampionati im i 8-të por çdo herë është një ndjesi e re. Jam shumë i lumtur dhe shpresoj që të luftoj për fitore duke sjellë këtu dy titujt për të cilët kemi synime në këtë edicion”, tha piloti brazilian, i cili sipas mediave italiane, rrezikon t’i japë lamtumirën që në gjysmë të sezonit ekipit italian nëse nuk arrin të shfaqet në lartësinë e kërkuar. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 February 2013 15:35