Fernando Alonso vazhdon t’i qëndrojë besnik idesë së Luis Hemilton është rivali i tij më i fortë në Formula 1, ndonëse Sebastian Vetel sapo ka fituar titullin e tretë kampion radhazi. Ndonëse edhe spanjolli e pranon se është ende herët për të përcaktuar se kush janë rivalët e mirëfilltë për titull në vitin 2013, ai nuk ka dyshime mbi atë që mendon se është më i miri.
“Nuk e di se kush do të jetë kundërshtari im kryesor për këtë sezon, ai që do të ketë skuadrën më të mirë, vitin më të mirë në përgatitje, fat apo testime pasi të gjithë këto faktorë bashkë do të ndihmojnë një pilot apo skuadër të dalë mbi të tjerët”, tha piloti i Ferrarit.
“Kush është kundërshtari më i fortë si pilot? Përgjigja ime është Hemilton. Kështu ishte vitin e kaluar, kështu është edhe në këtë vit. Ky është një opinion personal, jo politik, nuk e them për t’i bindur njerëzit. Kush është piloti më i fortë në pistë? Te kush duhet ta kesh gjithmonë mendjen? Ai mbetet Hemilton dhe përsëri do të mbetet Hemilton edhe vitin e ardhshëm”.
Kur u pyet pse nuk e shihte Vetel si pilotin më të fortë, Alonso tha se opinioni i tij mbi Hemilton nuk ulte meritat e gjermanit, që sipas tij kishte merituar të tre titujt kampion.
“Nuk po them se ai nuk është piloti më i fortë. Në vitin 2011, ai dha një paraqitje fantastike. Është e vërtetë që makina e tyre ishte shumë para të gjithë të tjerëve dhe kur ke një makinë të tillë relaksohesh disi. Por më kujtohen edhe gara të vështira në pistë të lagur në vitin 2011 dhe ai nuk bëri asnjë gabim të vetëm. Ndaj sigurisht që gjatë këtyre tre viteve kishte momente kur ai ishte më i mirë se të gjithë të tjerët dhe i meritonte këto tre tituj kampion”, tha Alonso. (LajmeShqip.com)
Thursday, 17 January 2013 16:09