Çelsi ka arritur t’i kthehet fitoreve në javën e 22-të të kampionatit anglez, duke mundur 4-0 skuadrën e Stouk në transfertë dhe duke përfituar nga hapi i gabuar i Totenhem për të fituar terren në luftën për vendin e tretë.
Por blutë londinezë kanë pasur një aleat më shumë në këtë ndeshje, sulmuesin kundërshtar Xhonatan Uollters, i cili praktikisht ka qenë arma më e fortë e Çelsit në këtë sfidë. Ndërsa Ba e kishte të vështirë të depërtonte në mbrojtjen kundërshtare, ka qenë pikërisht Uollters që ka shënuar dy autogola të njëpasnjëshëm, në minutat 45 dhe 63, duke i dhënë avantazhin e dyfishtë ekipit londinez.
Këto dy gola i lehtësuan punën Çelsit që më pas shënoi edhe dy të tjerë me anë të Lampard (penallti) dhe Hazard. Por dita e tmerrshme e Uollters nuk përfundoi këtu, pasi sulmuesi i Stouk kishte edhe kohën për të humbur 11-metërshin e fituar në minutën e fundit, pasi goditi traversën.
Ky sukses ngjit përsëri Çelsin në vendin e katërt në renditje, 2 pikë pas Totenhemit që ka gabuar në këtë javë, duke barazuar 0-0 në fushën e QPR. Heroi i takimit në këtë sfidë ka qenë portieri brazilian i QPR, Hulio Cesar, i cili ka ruajtur të paprekur portën e tij me disa pritje vendimtare. (LajmeShqip.com)
Premier League
Java 22 / Rezultatet
QPR-Totenhem 0-0
Aston Vila-Sauthempton 0-1
34’ (p) Lambert
Everton-Suonsi 0-0
Fullhem-Uigan 1-1
22’ Karagunis / 71’ Di Santo
Noruiç-Njukasëll 0-0
Riding-Uest Bromuiç 3-2
82’ Kebe, 88’ (p) Le Fondre, 90’ Pogrebnjak / 19’, 69’ Lukaku
Stouk-Çelsi 0-4
45’ (ag), 63’ (ag) Uollters, 65’ (p) Lampard, 73’ Hazard
Sandërlend-Uest Hem 3-0
12’ Larson, 48’ Xhonson, 74’ MekKlin
Saturday, 12 January 2013 18:37