Ndeshjet e fundit të javës së 18-të të kampionatit anglez kanë konfirmuar se Çelsi po ringjallet. Prova konkrete ka qenë fitorja e pabesueshme 8-0 ndaj Aston Vilës ku londinezët kanë dhënë sinjale të kthimit në formën e shkëlqyer të fillimit të sezonit ku gjithçka dukej e lehtë për ta.
Festivali i golave ka filluar me golin e shkëlqyer të Torres që në minutën e 3-të, i ndjekur nga goditja e dënimit e David Luiz në të 29-tën dhe goli i Ivanoviç në minutën e 34-t. Në pjesën e dytë ka vazhduar “masakra”, me Lampard, Ramires (2 gola), Oskar (penallti) dhe Hazard që kanë shkruar emrin në listën e golashënuesve të kësaj sfidë, ndërsa i riu Piazon ka humbur një 11-metërsh në minutat e fundit të sfidës.
Ky sukses duket se ka ngrohur disi tifozët e skuadrës, të cilët kanë parë skuadrën e tyre të ngjitet në vendin e 3 të në klasifikim, 11 pikë larg Mançester Junajtid por me një ndeshje më pak se “djajtë e kuq”.
Pikërisht këta të fundit kanë lënë pikë sot me një barazim 1-1 në fushën e Suonsit në një ndeshje mjaft të bukur. Një gol i Evra në minutën e 16-të i dha avantazhin skuadrës së Ferguson por spanjolli Miçu, në një formë të shkëlqyer në këtë sezon, arriti të barazonte rezultatin pak minuta më vonë, duke çuar në 13 numrin e rrjetave të tundura gjatë këtij kampionati.
Mançester Junajtid vazhdon të kryesojë i vetëm klasifikimin e kampionatit anglez, ndërsa tani ka 4 pikë avantazh ndaj ndjekësve më të afërt të Mançester Sitit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 23 December 2012 19:10