Java e 15-të e kampionatit anglez ka dhuruar shkëputjen e radhës së Mançester Junajtid, që ka përfituar nga hapi i gabuar i rivalëve të Sitit për të rritur në 3 pikë diferencën ndaj tyre.
Skuadra e Aleks Ferguson ka fituar 4-3 në fushën e Riding, pas një ndeshje argëtuese që ka dhuruar një pjesë të parë ku në më pak se 35 minuta janë shënuar të 7 golat e sfidës. Uejn Runi duket se ka dëgjuar këshillën e trajnerit të tij për të shënuar më shumë gola, ndërsa ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës në këtë sfidë, ku shënoi edhe i zakonshmi Van Persi.
Tani diferenca me Mançester Sitin ka shkuar në 3 pikë, pasi rivalët kryesorë të Junajtid janë ndalur në shtëpi në barazimin 1-1 me Evertonin. Karlos Tevez siguroi këtë pikë të rëndësishme falë një penalltie në minutën e 43-të, ndërsa më parë miqtë kishin kaluar në avantazh me Fellainin.
Java e 15-të ka konfirmuar krizën e dukshme të skuadrave londineze. Me Çelsin dhe Arsenalin që kanë regjistruar humbjet e radhës. Emërimi i Benitez në pankinën e bluve nuk ka ndërruar fatet e kësaj skuadre,q ë është mundur nga Uest Hem pa shfaqur asgjë nga loja e saj dhe duke mbetur tashmë plot 10 pikë larg Mançester Junajtid, ndërsa vetëm pak javë më parë kryesonin të shkëputur kampionatin . Ndërsa Arsenali është mundur në shtëpi nga Suonsi, ku Miçu ka ndëshkuar “topçinjtë” me dy golat e tij në minutat e fundit të ndeshjes. Tifozët e Arsenalit kanë shpërthyer në protesta ndaj ndeshjes, duke kërkuar në kor largimin shefit të klubit, Ivan Gazidis, të cilin e shohin si shkaktar të problemeve të skuadrës për shkak të politikës së mosblerjes së lojtarëve për të kursyer më shumë para. (LajmeShqip.com)
Premier League
Java 15 / Rezultatet
Uest Hem-Çelsi 3-1
63’ Kol, 86’ Diame, 90’ Maiga / 13’ Mata
Arsenal-Suonsi 0-2
88’, 90’ Miçu
Fullhem-Totenhem 0-3
56’ Sandro, 72’, 77’ Defo
Liverpul-Sauthempton 1-0
43’ Ager
Mançester Siti-Everton 1-1
43’ (p) Tevez / 33’ Fellaini
QPR-Aston Vila 1-1
18’ Maki / 8’ Holman
Uest Bromuiç-Stouk 0-1
75’ Uajthed
Riding-Mançester Junajtid 3-4
8’ Robson-Kanu, 19’ Le Fondre, 23’ Morrison / 13’ Anderson, 16’ (p), 30’ Runi, 34’ Van Persi
Saturday, 01 December 2012 20:38