Mançester Siti ka festuar me 5 gola kthimin në kreun e renditjes së kampionatit anglez të futbollit falë fitores 5-0 ndaj Aston Vilës. Festivali i golave i ka mjaftuar skuadrës së Mançinit për të marrë tri pikët në këtë sfidë dhe për t’u ngjitur e vetme në kreun renditjes, falë edhe gabimeve të Çelsit dhe Mançester Junajtid që janë mundur në ndeshjet respektive.
David Silva ka hapur serinë e golave për kampionët e Anglisë, ndërsa më pas ishin Aguero dhe Tevez që shënuan nga dy gola për të mbyllur këtë mbrëmje perfekte dhe për të lënë pas kritikat e javëve të shkuara, ku Siti nuk dukej në gjendje të rivalizonte me kundërshtarët për titullin.
Mançester Junajtid është tashmë në vendin e dytë, me një pikë më pak se skuadra që vitin e kaluar i mori titullin kampion, pas humbjes së papritur në fushën e Noruiç. Pa Runin në sulm, manovra e “djajve të kuq” nuk ka funksionuar siç duhet, ndërsa goli i vetëm i ndeshjes është shënuar në minutën e 60-të nga Pilkington që i ka dhënë këtë sukses të jashtëzakonshëm ekipit të tij.
Vendi i tretë i mbetet përsëri Çelsit, që është mundur në transfertë përballë surprizës së këtij sezoni, Uest Bromuiç. Kjo humbje ishte një goditje e rëndë sidomos për Roberto Di Mateon, i cili u shkarkua në vitin 2011 nga drejtimi i kësaj skuadre dhe shpresonte që tashmë të hakmerrej në drejtimin e Çelsit. Por fati i ka buzëqeshur vendasve të cilët drejtohen nga një ish-pjesëtar i stafit të Çelsit, Stiv Klark, i cili me suksesin e marrë sot mban skuadrën në vendin e katërt në renditje, një rezultat i pabesueshëm për një ekip që para fillimit të sezonit mendonte vetëm për mbijetesën.
Një ditë pozitive ka qenë edhe për Arsenalin, që ka shkatërruar 5-2 Totenhemin në derbin e Londrës së veriut. Emanuel Adebajor ka qenë protagonisti i takimit ndonëse ka luajtur më pak se 20 minuta. Fillimisht ai kaloi Totenhemin në avantazh në minutën e 10-të, por në minutën e 18-të la ekipin e tij me 10 lojtarë pasi u ndëshkua me karton të kuq pas një faulli të rëndë ndaj Kazorla. Që nga ai moment, në fushë ishte vetëm Arsenali që shfrytëzoi maksimalisht epërsinë numerike për të marrë një sukses që ka kënaqur tifozët e ekipit. (LajmeShqip.com)
Premier League
Java 12 / Rezultatet
Arsenal-Totenhem 5-2
24’ Mertesaker, 42’ Podolski, 45’ Zhirud, 60’ Kazorla, 90’+1’ Uollkot / 10’ Adebajor, 71’ Beil
Liverpul-Uigan 3-0
47’, 58’ Suarez, 65’ Enrike
Mançester Siti-Aston Vila 5-0
43’ David Silva, 54’ (p), 67’ Aguero, 65’ (p), 74’ Tevez
Njukasëll-Suonsi 1-2
90’ Ba / 58’ Miçu, 87’ De Guzman
QPR-Sauthempton 1-3
49’ Hoilet / 23’ Lambert, 45’ Pançion, 83’ (ag) Ferdinand
Riding-Everton 2-1
51’, 79’ (p) Le Fondre / 10’ Neismith
Uest Bromuiç-Çelsi 2-1
10’ Long, 51’ Odemuingi / 39’ Hazard
Noruiç-Mançester Junajtid 1-0
60’ Pilkington
Saturday, 17 November 2012 20:37