Pronarët e klubeve të mëdha angleze, ku përfshihen edhe familja Gleizer që kontrollon Mançester Junajtid apo Roman Abramoviç që ka në pronësi Çelsin, janë shumë pranë një akordi të përbashkët për të ndryshuar sistemin e pagesave ndaj lojtarëve dhe për të ulur disi shpenzimet marramendëse që bëjnë për yjet e futbollit.
Bisedimet mes 20 klubeve të elitës kanë filluar për të vendosur rregullat e tyre mbi fair-play financiar, ndërsa pritet që bazat e kësaj rregulloreje të re të hidhen në letër në takimin e tyre me 15 nëntor. Qëllimi i pronarëve është që të arrijnë të mbajnë një pjesë të të ardhurave prej 5 miliard paund të siguruara nga shitja e të drejtës televizive, e jo që këto para të shkojnë në xhepat e lojtarëve dhe të menaxherëve të tyre.
Rregullat e reja përfshijnë edhe kufizimin e rrogave, duke i detyruar klubet që të mos rritin më shumë se 5% shpenzimet për pagesat e lojtarëve nga një sezon në tjetrin. Klubet angleze kanë shpenzuar 1.5 miliard paund për rrogat në sezonin 2010-2011, rreth 69% të të ardhurave të tyre, duke arritur në këtë mënyrë të kenë rreth 2.4 miliard paund borxhe, më shumë se sa arrijnë të fitojnë.
Disa prej drejtuesve kanë kërkuar që këto masa të jenë aq të rrepta sa të parashikojnë menjëherë penalizime të ndjeshme me pikë për ata që nuk ndjekin këtë rregullore, e cila do të miratohet edhe nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë në Angli, pasi në të vërtetë nuk kufizon fitimet e futbollistëve, thjesht normalizon merkaton.
Klubet e Premier League regjistruan humbje të përbashkëta prej 361 milion paund në sezonin 2010-2011 me Mançester Siti (197 milion paund), Çelsi (68 milion paund) dhe Liverpul (49 milion puand) që kryesojnë listën e atyre që kanë bilance negative. (LajmeShqip.com)
Sunday, 04 November 2012 09:14