Sebastian Vetel thelloi në 13 pikë kryesimin e tij në botërorin e Formula 1 pasi arriti të fitonte garën e katërt radhazi në Çmimin e Madh të Indisë. Fernando Alonso ishte në gjendje që këtë radhë të minimizonte dëmet duke marrë vendin e dytë, për të mbajtur gjallë shanset e titullit kampion kur kanë mbetur edhe tre gara nga fundi i sezonit.
Rivalët e gjermanit të Red Bull as nuk patën mundësinë t’i afroheshin gjatë garës, pasi ai u shkëput i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Mark Ueber, ndërsa Fernando Alonso përfitoi duke u futur mes dy makinave MekLaren, duke lënë pas Hemilton e duke ndjekur Baton, të cilin e kaloi sapo iu dha mundësia në pjesën e drejtë të pistës falë sistemit DRS.
Vendi i tretë dukej si pozicioni më i mirë i mundshëm i Alonsos deri në gjysmën e dytë të garës, kur një problem në makinën e Ueber bëri që spanjolli të kalonte australianin dhe të hidhej dëshpërimisht në sulm për të kapur Vetel.
Por gjermani ishte i pandalshëm dhe kaloi vijën e finishit me rreth 10 sekonda diferencë ndaj ndjekësit të tij, ndërsa Ueber e mbylli garën i treti, duke u mbrojtur nga sulmet e Hemilton që u rendit në vendin e katërt. Vendi i pestë i shkoi Xhenson Baton, ndërsa më pas në zonën e pikëve me radhë u renditën Felipe Masa (Ferrari), Kimi Raikonen (Lotus), Niko Hulkenberg (Force India), Roman Groszhan (Lotus) dhe Bruno Sena (Uilliams). (LajmeShqip.com)
Renditja e botërorit për pilotë
240 Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
227 Fernando Alonso (Ferrari)
173 Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
167 Mark Ueber (Red Bull-Reno)
165 Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)
141 Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)
93 Niko Rosberg (Mercedes)
90 Roman Groszhan (Lotus-Reno)
89 Felipe Masa (Ferrari)
66 Serxho Perez (Sauber-Ferrari)
Sunday, 28 October 2012 14:44